Bananet dhe vetitë e tyre ushqimore

Publikuar më: 29-01-2013
Bananet dhe vetitë e tyre ushqimore

Me një tul të butë dhe të ëmbël, e paketuar në lëkurën e saj të verdhë, banania është një nga frutat më të mrekullueshëm dhe më të gjindshëm gjatë gjithë vitit.

Bananet rriten deri në 10m lartësi dhe i përkasin familjes së lilit dhe orkidesë.
Ky frutë kremoz, i ëmbël dhe i pasur është një nga të preferuarit për të gjitha grupmoshat, nga bebet deri të moshuarit. Dietologia, Blerina Bombaj bën të ditur benefitet e këtij fruti ekzotik.

Ofron mbrojtje për sistemin kardiovaskular nga fibrat dhe kaliumi
Bananet janë shumë të pasura me kalium, një mineral ky nga më të rëndësishmit për të mbajtur presionin e gjakut në nivele optimale dhe për mbarëvajtjen e funksionit të zemrës. Duke qenë se përmban rreth 460mg kalium, një banane në ditë mund të parandalojë hipertensionin dhe të mbrojë në këtë mënyrë nga arterioskleroza.

Bananet mbrojnë kundër ulcerës
Bananet njihen që herët për vetinë e tyre për të ulur aciditetin e stomakut, dhe si rezultat të mbron kundër ulcerës dhe dëmeve që ajo shkakton. Në një studim, një përzierje e qumështit me banane, uli në mënyrë të konsiderueshme aciditetin e stomakut. Në një tjetër studim në kafshë, shkencëtarët vunë re se banania e freskët e mbronte stomakun nga plagët.

Banania e luan rolin e saj mbrojtës në 2 mënyra: së pari, disa substanca që ndodhen te bananet ndihmojnë aktivizimin e disa qelizave, që përbëjnë shtresën e jashtme të stomakut, atë që vjen në kontakt me ushqimin, e cila prodhon dhe mukozën që e ruan stomakun nga aciditeti. Së dyti, disa përbërës të tjerë, që quhen inhibitorë të proteasave ndihmojnë në eliminimin e disa baktereve në stomak, të cilët janë akuzuar si kryesorë në shkaktimin e ulcerës në stomak.

Ndihmojnë në periudhat e eliminimit
Në rastet e diarresë së shpeshtë, për shkaqe të ndryshme, na duhet të eliminojmë ushqime që mund të agravojnë situatën. Një episod diarreje mund të zbrazë depozitat tona në elektrolite shumë të rëndësishëm. Bananet mund të na plotësojnë mangësitë në kalium, një nga elektrolitet më të rëndësishëm, i cili ndihmon në rregullimin e funksionit të zemrës dhe në balancën e lëngjeve në trup.

Gjithashtu, bananet përmbajnë pektinë, një lloj fibre e tretshme, e cila ndihmon shumë në normalizimin e aparatit tretës dhe lehtëson konstipacionin. Ëmbëlsia dhe përmbajtja në sheqer e bananeve varion në saje të pjekjes së tyre. Kur ato janë pak të pjekura (me ngjyrën e verdhë gati jeshile) kanë një indeks glicemik më të ulët. Kjo i bën bananet një nga frutat më të rekomandueshëm, në të kundërt të famës që ato kanë.

Bananet mbrojnë shikimin tonë
Mamaja juaj mund t’ju ketë thënë se karotat ju ndihmojnë për shikim më të qartë të syve kur ishit fëmijë, por për adutët duket se konsumimi i frutave është më i rëndësishëm për këtë. Në një botim të Archives of Ophthalmology, përmendet se konsumi i të paktën 3 frutave në ditë, ndihmon shumë në parandalimin e përkeqësimit të shikimit me kalimin e moshës.

Banania është një nga frutat që, nëse e konsumojmë përditë, në kombinim me fruta të ngjyrave të kuqe dhe jeshile, do të ndihmonte shumë për të pasur shikim më të mirë me kalimin e moshës.

Forconi kockat me banane
Po, është e vërtetë, nëse vendosni bananet rregullisht në menynë tuaj, ndihmon në absorbimin e kalciumit, elementit më të rëndësishëm në ndërtimin e kockave tona.

Bananet përmbajnë një prebiotik, i cili ushqen bakteret miqësore të kolonit. Këto baktere prodhojnë vitamina dhe enzima, të cilat ndihmojnë shumë aftësitë tona për të absorbuar nutrientë shumë të rëndësishëm, siç është dhe kalciumi.

Gjithashtu, koha e kalimit të ushqimit në zorrë zgjatet dhe, në këtë mënyrë, ulet rreziku i kancerit të zorrës së trashë.

Bananet jeshile përmbajnë acide lyrore të shkurtra, të cilët janë më të preferuarit për qelizat që përbëjnë shtresën e parë të zorrës. Kur këto qeliza ushqehen mirë, ato janë shumë më të afta për të absorbuar kalciumin dhe nutrientë të tjerë të vlefshëm.

Disa banane janë burim i pasur edhe i karotenoideve të ndryshëm. Ato me ngjyrë sa më të artë kanë dhe përmbajtjen më të lartë.

Bananet ndihmojnë shëndetin e veshkave tona kur konsumohen rregullisht, por me masë
Rreth 190.000 raste kanceri të veshkave identifikohen çdo vit në Amerikë. Faktorët e riskut përfshijnë duhanpirjen, obezitetin, hipertensionin dhe ekspozimin në disa substanca toksike, si asbestos dhe kadmiumi. Faktorë dietetikë janë vënë re si parandalues. Konsumi i rregullt dhe i përditshëm i fruta-zarzavateve të pasura me fibra bimore, por kryesisht konsumi i bananeve është lidhur me mbrojtjen e veshkave nga kanceri.

Sa shpesh të konsumojmë banane
Një banane të vogël mund ta konsumojmë edhe përditë, duke e kombinuar atë me 2-3 fruta të tjerë, të llojeve dhe ngjyrave të ndryshme.
Banania mund të përfshihet në ëmbëlsira, në kos me fruta dhe pak mjaltë, si dhe në lëng të freskët frutash.